Gjykata e Tiranës ka dënuar me tre vite burg këngëtarin Bojken Lako.

Raportohet se Lako është dënuar për akuzën “ndërtim i paligjshëm” me qëllim fitimin, ndërkohë dënimi do i konvertohet në shërbim prove. Lako është dënuar për punimet e kryera në ambientet e një godine të marrë me qera me qëllim ndërtimin aty të një studioje muzikore.

“Në rastin konkret rezulton se shtetasi Boiken Lako ka kryer punime që kategorizohen si punime që kërkohet pajisja me leje ndërtimi sipas nenit 11 të VKM-së 408 ‘Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit’. Punimet e kryera nga shtetasi Boiken Lako konsistojnë në krijimin e një strukture të re, duke ndërtuar mure, hapur dritare, kasat e dyerve dhe instalimet elektrike. Shtetasi Boiken Lako nuk ka aplikuar për leje ndërtimi, por thjesht është mbështetur tek një kërkesë e Njësisë Administrative Nr.7. Siç rezulton nga deklarimet e shtetasit Boiken Lako, proces-verbali për këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe tabela fotografike, punimet e kryera nuk janë punime të brendshme, por është ngritur një ndërtim i ri tërësisht e ndryshme nga ajo e mëparshme”, sqaron Gjykata.