Shqipëria ka njohur kundërshtarët e grupit për edicionin 2022-2023 të Ligës së Kombeve. Në shortin e hedhur në Nion të Zvicrës, kombëtarja shqiptare mësoi se do të jetë pjesë e grupit B2 së bashku me Izraelin, Rusinë dhe Islandën. Fushata eliminatore do të nisë në muajin qershor, kur do të luhen 4 ndeshje, ndërsa në muajin shtator do të zhvillohen edhe dy ndeshjet e fundit të grupit.
Pas edicionit të parë të suksesshëm në këtë kompeticion, ku Shqipëria u rendit e para në grupin 4, duke kaluar nga Liga C në Ligën B, kuqezinjtë gjendeshin në vazon e katërt të kësaj Lige, së bashku me Malin e Zi, Armeninë dhe Slloveninë, ndërsa shorti i përcaktoi tre skuadra me të cilat është përballur edhe më parë.
Fushata eliminatore fillon në muajin qershor dhe do të përmbyllet në muajin shtator 2022 për shkak të ndeshjeve finale të Kampionatit Botëror “Katar 2022”, që do të luhen në nëntor.

Ndeshja e parë: 2-4 qershor 2022
Ndeshja e dytë: 5-8 qershor 2022
Ndeshja e tretë: 9-11 qershor 2022
Ndeshja e katërt: 12-14 qershor 2022
Ndeshja e pestë: 22-24 shtator 2022
Ndeshja e gjashtë: 25-27 shtator 2022
