Pjesa e dytë e “Shihemi në Gjyq” ka nisur me një debat të fortë mes Eni Çobanit dhe Maliqit. Ndërsa ky i fundit ngul këmbë në kanunin e Lekë Dukagjinit dhe thotë se nuk njeh ligjin, ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan nuk ia kursen disa deklarata. Çobani i thotë se një baba që marton vajzën 16 vjeçe duhet të dënohet ligjërisht.

Eni Çobani: Populli do ligjin dhe Kushtetutën zotëri dhe ne do ta zbatojmë deri në fund Kushtetutën! Por që ta kuptosh ligjin ti do bëjmë ca ndryshime ne në ligj që baballarë dhe nëna si ti që martojnë vajzën 16 vjeç duhet t’i dënojë ligji o zotëri! Ti duhet të dënohesh për kundravajtje penale që marton vajzën 16 vjeç!

Maliq: Ja urdhëro! (I zgjat duart e kryqëzuara) Po kam kanunin unë!

Eni Çobani: Tani ulu atje dhe vazhdo voto për ligjin! Jo për kanunin se kanunin nuk duhet ta lexosh më! O zotëri po ti je babai ore! E di ç’do do të thotë baba? Babai është heroi i një vajze! Unë në moshën e vajzës tënde mendoja ku do shkollohesha, kurse ti e ke lënë vajzën me fëmijë 1 vjeç e 5 muaj! E kupton kush je ti apo jo? Vajza jote duhet të ishte në shkollë!

Maliq: Unë kam kanunin e Lekë Dukagjinit.

Eni Çobani: Vajza jote dhe vajzat e shqiptarëve duhet të jenë në shkollë 19 vjeç, zotëri, jo të bëhen gra! 19 vjeç është mosha e ëndrrave të mëdha se çfarë do bëhesh në jetë, ti e ke futur dhe e ke çuar në një fshat të Burrelit dhe ngre zërin para nesh!

Maliq: Ku janë vajzat e reja sot?

Eni Çobani: Janë në shkollë duke u shkolluar. Vajzat tuaja, vajzat e baballarëve si ty janë këtu me mua që kërkojnë fëmijët se ua ka mbajtur ai djali atje!

Pas akuzave ndaj Erjonës se është ajo që e ka sjellë në jetë djalin dhe e ka lënë në moshën 1-vjeçare, ish-vjehrri i saj, Avniu që ndodhet në lidhje telefonike me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, e konsideron edhe të paaftë për t’u kujdesur për fëmijën.

Ndërsa Eni Çobani e pyet se çfarë ka që nuk shkon me Erjonën, dëgjohet një ndërprerje e vogël dhe ai vazhdon bisedën me dikë. Menjëherë Erjona ngrihet në këmbë dhe thotë se “po e mëson vjehrra” e më pas dëgjohet Avniu që thotë se nusja është e sëmurë me epilepsi. Kjo e bën Erjonën të shpërthejë në lot.

Gjatë telefonatës, Avniu pranoi se djali i tij, Lorenci që është babai i fëmijës nuk ndodhet në Shqipëri dhe djali po qëndron me gjyshërit, gjë që përbën kundravajtje penale.

Avni: Na epikrizën se e kam në kamera.

Eni Çobani: O zotëri të lutem! Epilepsia nuk është sëmundje mendore o zotëri! Me kë po flet ti? Mua më vjen shumë keq që një zotëri që ka ngrënë bukë me nusen e djalit dhe i ka bërë një djalë thotë publikisht që nusja është e sëmurë! Është shumë e rëndë dhe t’ju vijë zor nga vetja që flisni për vajzat në këtë formë! T’ju vijë zor nga vetja! Kaq po them! Këto gjëra nuk i vendos ti Avni! Nuk i vendos ti se kush është i sëmurë në Republikën e Shqipërisë! E vendos gjykata, e vendos mjekësia! Hap një gjyq! Më vjen shumë keq! Këtë fjalë nga ty nuk e prisja! Kaq po ju them!

Avni: Dëgjo se kanë për të dalë fjalët e mia!

Eni Çobani: Se kur do të dalin fjalët e tua e vendos gjykata! Po të them edhe njëherë, dorëzoji djalin Erjona Kastratit! Zotëri, djalin e ke në Greqi, e ke thënë publikisht! Ty nuk të takon me ligj të mbash nipin se nëna është gjallë dhe është këtu! Dorëzoji djalin Erjona Kastratit! Po i bëj thirrje qytetit ku jeton, drejtorit të policisë, prokurorisë së qytetit tënd, po të them Avni, jepini fëmijën Erjona Kastratit!

Avni: Fëmija do të dorëzohet me vendim gjykate!

Eni Çobani: Jo zotëri, nuk e vendos ti vendimin e gjykatës! Ti do dorëzosh fëmijën dhe hap gjyq po qe!/tvklan.al