Superliga Europiane tani nuk ka më asnjë pengesë. Gjykata e Drejtësisë në Bashkimin Europian i ka dhënë një goditje të fortë UEFA-s dhe FIFA-s, që ishin kategorisht kundër këtij kompeticioni dhe kërcënonim me gjoba dhe përjashtim tre klubet që kërkonin ti bashkoheshin projektit të Superligës.

Në vendimin e gjykatës thuhet se “rregullat e UEFA-s dhe FIFA-s, që imponojnë miratimin e tyre për zhvillimin e garave alternative ndërmjet klubeve, siç është Superliga, duke i ndaluar skuadrat dhe lojtarët të marrin pjesë në to, janë të paligjshme.” Me pak fjalë gjykata e drejtësisë në Bashkimin Europian thotë se UEFA dhe FIFA nuk mund të jenë monopol në organizimin e garave europiane.

Në vendimin e gjykatës thuhet konkretisht se UEFA dhe FIFA nuk kanë të drejtë të dënojnë pjesmarrësit, duke i hapur rrugën kështu kompeticioneve të reja në Europë. Gjyqin kundër UEFA-s dhe FIFA-s e hapi kompania A22 Menagment, ndërsa kundër këtij vendimi nuk mund të apelohet.

Superliga Europiane, e iniciuar nga Juventusi, Real Madrid dhe Barcelona, synon një Ligë me ekipet më të forta të Europës ku të ndeshen çdo javë. Fillimisht 6 klube nga Anglia, katër nga Italia, po kaq nga Spanja dhe Gjermania, dolën me një vendim të përbashkët në 2021 për organizimin e këtij kompeticioni, por pas kërcënimeve të UEFA-s dhe FIFA-s mbetëm vetëm Juventusi, Reali dhe Barcelona. Ajo pritet të zëvendësojë Champions League dhe kërcënon kampionatet tradicionale, por rrit shumë të ardhurat e klubeve që vuajnë shumë aspektin ekonomik.