Dy persona u dërguan të plagosur në spitalin e Traumës ditën e sotme, njëri i plagosur me armë, dhe tjetri i lënduar pas daljes së mjetit nga rruga, në tentativë për t’i shpëtuar plumbave.

Gentjan Bejtja, 41 vjeç, nga fshati Larushk i Fushë-Krujës, është personi që u qëllua me armë, ndërsa një plumb e ka prekur në dorë. Bejtja nuk është një emër i panjohur pasi rezulton t’i ketë shpëtuar një atentati me eksploziv në vitin 2016.

Bejtja, një ish-polic i burgut të Fushë-Krujës është gjithashtu një emër i njohur për blutë. U bë publik më 26 shkurt të vitit 2013, një ditë pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, i cili ra pre e një atentati në rrugën “Petro Korçari”, pranë banesës së tij.

Bejtja bashkë me Enver Stafukën (i rrëmbyer dhe zhdukur që nga mbrëmja e 8 shkurtit 2015).

Të dy vodhën makinën e llojit “BMW” që u përdor në vrasjen e kryekomisar Lamajt në vitin 2013. Automjeti i ishte vjedhur një ditë para vrasjes në rrugën “Aleksandër Goga” në Durrës dhe pas krimit, autorët e vrasjes e dogjën pranë Domjes në Tiranë. Bejtja dhe Stafuka u vunë në pranga në atë kohë nga policia, por u liruan në vitin 2015.

Lidhur me ngjarjen e sotme ka folur dhe kushëriri i tij për mediat nga spitali i Traumës.

“Është plagosur në Larushk, nuk ka njohur njeri se kush ka qenë, atentat i është bërë edhe më para. Tani ka një gërvishtje në dorë, rrethanat nuk dihen, i kanë bërë dy herë atentat. Sot me automatik më parë më dinamit në makinë, se kush ka qenë nuk di gjë.

Kështu tha nuk kam parë gjë. Nuk e ka parë. Ka manovruar ka ikur me makinë. Tani është në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Nuk kam asnjë dyshim se kush mund t’ja ketë bërë atentatin. Genti dikur ka qenë ish-polic, më pas ka jetuar në Itali për një kohë të gjatë. Ka parë personin kur i kanë qëlluar nga pas dhe më pas ka manovuar me makinë, pasi ka ikur me makinë.’, ka thënë djali i xhaxhait të Bejtjes.