PARIS- Karim Benzema është shpallur fituesi i Topit të Artë 2022 në ndarjen e çmimeve të mbrëmjes së sotme. Sulmuesi i Real Madrid e fiton për herë të parë këtë trofe. Vitin e kaluar, Karim Benzema ishte kyç në triumfet e Real Madridit në Champions League dhe në La Liga, ku shënoi 44 gola dhe 15 asistime në 46 paraqitje.
Ai zhvilloi paraqitje fantastike në fazën e eliminimit të Champions League, ku realizoi gola vendimtar ndaj PSG’së, Chelseat dhe Manchester Cityt.Francezi u shpall golashënuesi më i mirë në Champions League
me 15 gola.
“Të jem këtu është një krenari për mua, është një ëndërr që kur kam qenë fëmijë – tha sulmuesi francez i Realit. “Kam pasur dy modele në jetën time: Zizou dhe Ronaldo. Kishte shumë punë, nuk hoqa dorë kurrë. Ka pasur momente të vështira, si kur nuk luaja për kombëtaren. Jam munduar të mbaj në mendje gëzimin e lojës, jam krenar për rrugën që kam bërë”.
Benzema është lojtari i dytë më i vjetër që ka fituar Topin e Artë. “Unë stërvitem shumë më shumë se të tjerët. Pas moshës 30 duhet të stërvitesh më shumë dhe të kesh këtë ëndërr në mendje. Motivimi më bën të kem më shumë ambicie se më parë.” Më pas ai lavdëron idhujt e tij Ronaldo dhe Zidane: “Jam shumë i lumtur që Ronaldo është këtu. Ai është idhulli im. Nuk ka asnjë sulmues tjetër si ai. Ajo që bënte në fushë është e pamundur të bëhet përsëri. Ai ishte në një nivel që nuk arrihet, si Zizou.”
💬 Karim Benzema : « It's an honour, it was a childhood dream becoming the Ballon d'Or »#ballondor pic.twitter.com/17ykH6YPzd
— Ballon d'Or (@ballondor) October 17, 2022
Askush nuk mund ta mposhtte Karim Benzemanë në garën për fitimin e “Topit të Artë”. Nuk ekzistonte dyshimi më të vogël se dikush tjetër mund t’ia rrëmbente sulmuesit francez të Realit të Madridit këtë çmimin individual.
Karim Benzema shpallet lojtari më i mirë i sezonit të kaluar nga revista prestigjioze “France Football”, duke lënë pas Kevin De Bruyne, Robert Lewandowskin dhe Sadio Mane-n. Kur mori këtë trofe, sulmuesi donte të gjithë familjen në skenë dhe nënën e tij para së gjithash.
Karim Benzema donte ta festonte në këtë mënyrë çmimin e tij. I prekur dukshëm, sulmuesi i Real Madridit përqafoi nënën e tij: “Jam shumë krenar për të, më ka mbështetur gjithmonë dhe ka besuar gjithmonë tek mua”, tha ai për të gjithë publikun.
