Një 20-vjeçar ka mbetur i plagosur në ambientet e dhomës së hotelit në autostradën Durrës-Tiranë. Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim atori dhe një tjetër për moskallëzim krimi.
Ndërkohë në pranga ka rënë 22-vjeçarja që fshehu armën e zjarrit dhe 1 shtetas tjetër që strehoi 22-vjeçaren, pas ngjarjes.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se në ambientet e dhomës së një hoteli, në të cilën kanë qenë shtetasit M. B., T. Sh., A. B. dhe A. S., shtetasi M. B. ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin A. S., 20 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve hetimore 26-vjeçari M. B., banues në Durrës, është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Në kërkim është shpallur edhe shtetasi T. Sh., 32 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
A.B., 22 vjeçe, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”. Ajo, menjëherë pas ngjarjes, ka marrë armën e zjarrit dhe e ka fshehur në pjesën e pasme të hotelit;
E.H., 66 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka strehuar shtetasen A. B., ndërkohë që ka patur dijeni për ngjarjen.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë që është përdorur në këtë ngjarje.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.
