KOSOVA- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përcjell me masa të rrepta sigurie në Shkup pas informacioneve se ka përpjekje nga Serbia për vrasjen e tij gjatë vizitës në Shkup. Burime nga institucione të sigurisë në Kosovë i kanë thënë për RTK-në, se menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka bërë përpjekje për vrasjen e kryeministrit Kurti në Shkup, ku ai ka qëndruar mbrëmjen e shkuar. Kurti mbërriti në Shkup mbrëmjen e shkuar, ndërsa paraprakisht janë marrë të gjitha masat e sigurisë në koordinim me institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut. RTK raporton se vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.

RTK ka mësuar se tashmë Kkyeministri Kurti ka hyrë në Kosovë, dhe bashkëpunimi i institucioneve të sigurisë në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka siguruar në mënyrë profesionale gjithë perimetrin e Kurtit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se kërcënimet për jetën e tij i kanë rrënjët në Beogradin zyrtar. Kurti ka thënë se nuk është ndjerë i rrezikuar në Shkup edhe pasi ka mësuar për kërcënimet ndaj tij.

Para mediave, Kurti tha se gjatë qëndrimit në Shkup, ka pasur forca të shumta policore të cilët u kujdesën për mbledhjen.

“Kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura që kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo unë sapo erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë shumë forca policore të cilët u kujdesen për mbledhjen në Shkup”, u shpreh Kurti.

Ditën e sotme RTK raportoi se burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë kanë thënë se menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka bërë përpjekje për vrasjen e kryeministrit Albin Kurtit në Shkup.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.