Në këto 30 vite kemi disa eksperienca të hidhura. Dhe historia përsëritet.

Prej disa ditësh, madje fill pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, banorët e kryeqytetit dhe qyteteve të tjera në vend u dyndën në magazina për t’u furnizuar me miell.

Nga një vëzhgim në kryeqytetin Tiranë qytetarët shprehen se janë duke u furnizuar, jo vetëm me miell, por dhe me ushqime, sepse mendojnë se konflikti atje do sjellë zinë e bukës këtu.

Dhe kur krijohen situata të tilla e dinë vetë tregtarët shqiptarë me çmimet.

“Të gjithë fabrikat e kanë rritur dje dhe sot. Dje kur shkova për të marrë miell, ishte bllokuar. Nuk jepnin miell, sepse thoshin se do të rritet çmimi. Ai që ka pasë marrë një thes, tani merr 5 thasë” – u shpreh një tregtar.

E njëjta situatë edhe në Elbasan, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Fier etj, informon Noa.al.

Dyndja në fakt e ka një spjegim. Rusia dhe Ukraina janë furnitorët kryesorë të Europës me grurë. Afro 70% të drithërave, Shqipëria i siguron nga Serbia dhe Rusia. Por tashmë ka edhe mundësi të tjera nga vendet e BE. Ndaj është e tepërt të ekzagjerohet me blerjen e miellit.