Autoritetet ruse kanë bërë 11 arrestime për masakrën në Moskë, sipas informacioneve të fundit, ndërsa videot e reja tronditëse që kanë dalë në dritë, regjistrojnë momentet e tmerrshme të përjetuara nga personat që ndodheshin në ambientet e koncerteve.

Mes të vdekurve janë tre fëmijë në bazë të të dhenave të deritanishme. Të paktën 93 persona kanë humbur jetën, ndërsa 145 janë plagosur, ku disa prej tyre janë në gjendje kritike. Në të njëjtën kohë, hetimet janë në vijim për identifikimin dhe arrestimin e të gjithë autorëve, pasi ISIS mori përgjegjësinë për sulmin.

Autoritetet ruse deri më tani kanë arrestuar 11 të dyshuar, duke përfshirë katër që kishin lidhje me terrorizmin, pas ndjekjes së automjeteve. Në postimin e tij në Telegram, deputeti Alexander Kinstein theksoi se dy të dyshuar të tjerë u arratisën në pyll.

Më herët në rrjetet sociale janë publikuar fotot e sulmuesve të dyshuar brenda automjetit të bardhë me të cilin kanë ikur pasi kanë përhapur vdekjen. Sqarohet se, siç ka bërë të ditur kreu i FSB-së, në veturë policët kanë gjetur një pistoletë PM, një karikator për një pushkë AKM dhe pasaporta të qytetarëve të Taxhikistanit.

Komiteti Hetimor i Rusisë, i cili heton krimet e mëdha, tha se kishte hapur një hetim terrorizmi. Persona të armatosur me uniforma kamuflazhi hynë në sallën e mbushur plot Crocus City Hall, një sallë koncertesh në Krasnogorsk, në veriperëndim të Moskës, pak pas orës 20:00 dhe filluan të qëlloni.

Një producent muzikor që ndodhej në dhomën e zhveshjes tha se pak para fillimit të koncertit u dëgjuan të shtëna dhe britma dhe ai pa spektatorë të panikuar duke vrapuar jashtë. Videot e postuara treguan pamjet e sulmuesve të armatosur, të shtëna në auditor. Zjarri u vu nën kontroll pas disa orësh dhe pasi një pjesë e çatisë u shemb.