KOSOVË- Talenti 17-vjeçar i Trepçës 89, Erion Kajtazi ka ndërruar jetë në fushën e lojës. Ngjarja tragjike ka ndodhur sot, 17-vjeçari Kajtazi ka pësuar atak kardiak në momentin që lunate dhe është rrëzuar në tokë. Lajmi është konfirmuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, Trepça ‘89 dhe Emergjenca e Spitalit të Prizrenit.
Siç ka njoftuar FFK-ja, mjekët e të dyja skuadrave bënë përpjekje maksimale për t’i shpëtuar jetën talentit, por ishte e pamundur. Mjekët konstatuan vdekjen që ka ardhur si pasojë e një arresti kardiak.
Reagim emocional pati klubi ku luante Kajtazi. Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, është shprehur i shokuar me vdekjen e 17-vjeçarit.
Postimi:
Nuk gjejmë fjalë për të shkruar për ty, Erion. U rrite me të gjitha grupmoshat te ne. Ne planifikuam që në një të ardhme të afërt të realizojmë transferimin tënd në Evropë e se vjen kjo ditë të ndahemi nga ti, vetëm fizikisht, por jo edhe emocionalisht e shpirtërisht. Eri, siç të thërritshim të gjithë, do të mbetesh gjithmonë në mendjen tonë i dashur, i buzëqeshur, i afërt me të gjithë shokët dhe në përgjithësi klubin tone.
