Daniel Cataño, një futbollist i skuadrës Millonarios të Bogotás, u sulmua nga një tifoz, i cili u fut në fushë përpara se të fillonte ndeshjen. Ai po përgatitej të përballej kundër Deportes Tolima, në stadiumin “Manuel Murillo Toro de Ibagué”.

Mirëpo, përpara fillimit të ndeshjes, një tifoz i Deportes Tolimas ka mashtruar rojet e sigurisë dhe u hodh në fushë për të sulmuar nga pas lojtarin e Millonarios, dikur i Deportes Tolimas. Cataño u ndëshkua me karton të kuq, për ndjekjen në fushë të tifozit të Deportes Tolima, të cilin futbollisti e goditi. Agresori u arrestua dhe u identifikua si Alejandro Montenegro.

Por pas kësaj ngjarjeje, ku Catano u sulmua, skuadra e Millonarios nga Bogota u tërhoq nga fusha dhe gjyqtari Wílmar Roldán pezulloi ndeshjen.

“Ky është futbolli që na korrespondon të gjithëve dhe siguria jonë, e stafit stërvitor, e lojtarëve është mbi çdo gjë tjetër. Ne duhet të krijojmë një precedent, që të edukojmë veten si shoqëri (…) që të kujdesemi për njëri-tjetrin”,- kështu iu shpreh David Macalister Silva, kapiteni i Millonarios, gjyqtarit Roldán për të justifikuar vendimin e tyre për t’u tërhequr nga fusha.

Edhe Julián Quiñones, kapiteni i Deportes Tolima, miratoi vendimin e Millonarios për të lënë fushën dhe arbitrin për të pezulluar lojën: “Për mua do të ishte mirë nëse ndeshja nuk luhej. Sot ishte radha e Catanos, nesër mund të ishte një e nesh”.