GANA – Trupi i Christian Atsu, ish-futbollistit të kombëtares së Ganës, i cili vdiq në një tërmet shkatërrues në Turqi, u dërgua në shtëpi të dielën. Avioni u ul në Akra të dielën vonë dhe arkivoli i tij u mor nga anëtarët e forcave të armatosura të Ganës. Arkivoli më vonë do të transportohej në një morg të spitalit ushtarak.
Christian Atsu, 31 vjeç, mbeti viktimë e një tërmeti me magnitudë 7.8, që tronditi Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt, i cili ka marrë më shumë se 46.000 jetë në të dy vendet. Kishte raporte fillestare se ish-lojtari i Chelsea dhe Newcastle United ishte shpëtuar një ditë pas tërmetit, por këto rezultuan të rreme dhe trupi i tij u gjet nën shtëpinë e tij në Turqinë jugore të shtunën.
Duke folur në aeroportin Kotoka në kryeqytetin Akra, zv.presidenti i Ganës, Mahamudu Bawmia, tha: “Ne shpresonim kundër shpresës, çdo ditë që kalonte, ne u lutëm dhe u lutëm. Por mjerisht, kur ai u gjet, ai nuk ishte më. Është një humbje e dhimbshme, shumë e dhimbshme”,- shtoi ai.

Të shtunën, ministria tha se vëllai i madh dhe motra binjake e Atsu, ishin të pranishëm në vendin e shpëtimit kur trupi i tij u gjet. E veja e tij Marie-Claire Rupio dhe tre fëmijët e tyre, ishin në tribunat në St James’ Park në Anglinë Verilindore të shtunën për t’u bashkuar në një homazh për lojtarin përpara ndeshjes së Premier League të Newcastle kundër Liverpool.
Atsu shënoi të fundit nga 33 golat e tij në karrierë për Hatayspor në Super Ligën e Turqisë më 5 shkurt, disa orë para se të godiste tërmeti. “Nuk ka fjalë për të përshkruar trishtimin tonë”,- shkroi në Twitter klubi i tij turk në homazh ndaj tij. “Nuk do të të harrojmë, Atsu. Paqja qoftë mbi ty, njeri i bukur.”
Ai më parë ka luajtur për ekipin e tij kombëtar, duke përfaqësuar ‘Yjet e Zinj’ në 65 ndeshje dhe ka ndihmuar ekipin e tij të arrijë në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës 2015.
Presidentja e Ganës, Nana Akufo-Addo, tha: “Futbolli ka humbur një nga ambasadorët e tij më të mirë, atë që do të jetë e vështirë të zëvendësohet”. Ndërkohë, një shoqatë bamirëse për fëmijë, e përshkroi ish-anësorin e Chelseat si një “njeri të mrekullueshëm” “trashëgimia e të cilit do të jetojë në qindra, nëse jo mijëra jetë që ai ka ndihmuar”.
Atsu kishte qenë ambasador për bamirësinë globale të fëmijëve ‘Arms Around The Child’ (AATC) që nga viti 2016, ishte përfituesi kryesor i një shkolle të re që është drejt përfundimit në Senya Beraku në Ganë dhe vizitoi fëmijët dhe projektin atje në disa raste.
“Fëmijët e shikuan atë dhe ai u tregoi atyre, se mund të kenë ëndrra për një të ardhme më të mirë dhe se përmes arsimimit, ëndrrat mund të arrihen”,- tha një zëdhënës i AATC.
“Kjo është arsyeja pse Christian ishte kaq i pasionuar pas ndërtimit të një shkolle, ai besonte në arsimin për të gjithë, veçanërisht si një mënyrë për të zgjidhur problemet dhe për t’u dhënë fëmijëve një të ardhme më të ndritshme.”

