Raphael Dwamena, golashënuesi më i mirë i Egnatias, ka ndërruar jetë, pasi u rrëzua në fushë gjatë kohës kur luhej ndeshja.

28-vjeçari ganez krijoi panik tek të gjithë lojtarët dhe të pranishmit në stadiumin “Egnatia Arena”, teksa u nis menjëhere drejt spitalit me ambulancë, por për fat të keq nuk mbijetoi.

Afrikani ka patur më parë probleme në zemër, ndërkohë që një rast i ngjashëm i ka ndodhur edhe kur luante në Austri.

Sulmuesi kishte probleme dhe vite më parë u tërhoq nga sporti, ndërsa kishte një “çip” që e lejonte të luante futboll.

Policia ka konfirmuar vdekjen e sulmuesit të Egnatias, Raphael Dwamena, i cili humbi ndjenjat gjatë ndeshjes në fushë. Sipas bluve, 28-vjeçari është ndjerë keq dhe ka rënë në tokë, pa ndjenja, edhe menjëherë i ka ardhur ndihma e shpejtë nga mjekët. Më pas, futbollisti është transportuar në spitalin e Kavajës, por mjekët konfirmuan se 28-vjeçari kishte humbur jetën.

Njoftimi i policisë:

Në stadiumin “Arena Egnatia”, ku po zhvillohej ndeshja e futbollit të ligës “Abisnet Superiore”, midis ekipeve Egnatia dhe Partizani, në minutën ‘23-‘24, futbollisti i ekipit Egnatia, shtetasi R. D., 28 vjeç, kapiten i këtij ekipi, është ndjerë keq dhe ka rënë në tokë, pa ndjenja.

Menjëherë, janë futur në fushë, mjekët e ekipeve dhe autoambulanca, dhe futbollisti është transportuar në spitalin e Kavajës, por mjekët konfirmuan se 28-vjeçari kishte humbur jetën.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po vijon puna për të sqaruar shkakun e humbjes së jetës së lojtarit, gjatë ndeshjes.