KOSOVË- Operacioni i policisë së Kosovës për ndalimin e grupit terrorist që kreu sulmet një ditë më parë në Zveçan ka vijuar edhe gjatë natës.
Mësohet se 20 murgj të manastirit të Banjskës janë shoqëruar në drejtorinë e Policisë. 20 murgjit e ndaluar dyshohen si bashkëpunëtorë të grupit terrorist dhe mund të kenë bërë të munduar fshehjen e armëve. Gjithashtu bëhet me dije se operacioni do të vijojë edhe gjatë ditës së sotme.
ÇFARË NDODHI NË KOSOVË NJË DITË MË PARË?
Për rreth 1 ditë një prej komunave në veri të Kosovës, Zveçani ka qenë pre e një sulmi të paprecedentë nga ana grupeve kriminale serbe, të cilët vranë efektivin në detyrë Afrim Bunjakun. Grupe të organizuara me uniforma, të armatosur rëndë mësynë në veri të Kosovës qëlluan në drejtim të policisë së Kosovës, duke vrarë 1 efektiv policie dhe duke plagosur 2 të tjerë.
Në orët e mbrëmjes, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Pas ngjarjes ka patur një sërë reagimesh të njëpasnjëshme duke nisur nga autoritetet e Kosovës, komuniteti ndërkombëtar, mediat dhe autoritetet serbe. Dy krerët e vendeve si Kurti dhe Vuçiç kanë sulmuar njëri-tjetrin si shkaktar të situatës së ndodhur. Kurti e ka quajtur grupin të përgatitur ushtarakisht në Beograd, kurse Vuçiç është shprehur se “edhe sikur të na vrasin të gjithëve, Kosovën nuk do ta njohim, si të pavarur”.
