Pas një sezoni të gjatë dhe rraskapitës me protagoniste klube të ndryshme, tani është koha për të përjetuar emocionet e Kampionatit Evropian. Janë 24 kombëtare në garë për fitoren finale dhe trofeun, për të cilat megjithatë nuk flitet shpesh në detaje.

Por sa dini për trofeun që ekipet e vendeve europiane do luftojnë ta ngrenë drejt qiellit mbrëmjen e 14 korrikut? Ja disa detaje interesante:

Sipas deklaratave të kompanive të ndryshme që e krijuan, trofeu për kombëtaren kampione europiane sot do të kishte një vlerë rreth 30 mijë euro, megjithatë nuk është versioni i parë dhe i vetëm i kupës së lakmuar, prej argjendi me shkëlqim.

Trofeu aktual është 60 cm i lartë dhe peshon 8 kg, një version me përmasa më të mëdha se i pari, i cili nuk përfshinte piedestalin, peshonte 2 kg më pak dhe ishte 42 cm i lartë.

Trofeu i ri u porosit nga UEFA për Euro 2008, edicioni i fituar nga Spanja e José Luis Aragones. Lojtari i parë që e ngriti atë drejt qiellit ishte Iker Casillas. Krijuesi i trofeut ishte Pierre Delaunay, i cili pasoi babanë e tij, Henri, si sekretar i përgjithshëm i UEFA-s, nga i cili mori emrin.

Kushdo që fiton Kampionatin Evropian, përveç medaljeve të zakonshme të arta, merr në shtëpi edhe trofeun “Henri Delaunay”, megjithatë, është një kopje në shkallë 1:1 e kupës origjinale, e cila mbetet në posedim të UEFA-s dhe përdoret vetëm për ceremoninë e ndarjes së çmimeve.