S’ka bashkim të PD! Alibeaj: Dalim me kandidatët tanë në zgjedhjet lokale. Berisha: I keni bërë hesapet keq
Nuk ka bashkim të Partisë Demokratike. Dialogu i nisur prej pak javësh ka dështuar dhe grupi që mbështet Enkelejd Alibeajn ka vendosur të dalin me kandidatët e tyre në zgjedhjet lokale. Në njoftimin për shtyp, grupi i Alibeajt bën me dije se bisedimet me Berishën nuk kanë qenë ‘pa kushte’ dhe se pavarësisht zotimit publik për të dalë me një kandidat në 14 maj të vitit 2023, ka prevaluar interesi dhe kushti për të njohur “Statutin” e 11 Dhjetorit, për rrjedhojë dhe Sali Berishën si kryetar të PD-së.

Vendimi është marrë sot gjatë mbledhjes së Alibeajt me deputetët e PD-së, pas tre takimeve të zhvilluara mes të mandatuarve, Gazment Bardhi dhe Edi Paloka.

Nisur nga kjo situatë, në njoftimin zyrtar, Alibeaj bën me dije se i ka kërkuar të informohet Kryesia e Partisë Demokratike, për t’i hapur rrugë krijimit të të gjitha kushteve për përgatitjen dhe pjesëmarrjen e grupit të tij në zgjedhjet e ardhshme vendore me kandidatët e tyre.

Takimet mes Bardhit e Palokës nisën më 18 tetor, ditë kur Berisha publikoi kalendarin e Primareve që do të nxjerrin kandidatët e Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale. Ata u takuan tre herë dhe në ekrane të dy janë shprehur se ka vullnet për bashkëpunim, por vetë kryedemokrati Berisha ishte i prerë kur tha një natë më parë se procesi i primareve ishte i panegociushëm. Ai komentoi propozimin e Bardhit për ‘Polls’ dhe tha se sondazhet duan të paktën 1 milionë euro, para që PD-ja nuk i ka. Berisha gjithashtu u ka ofruar mundësinë deputetëve që mbështesin Alibeajn që të dalin si fraksion më vete në PD.