TIRANË, 25 prill 2026 – Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një skemë të re mashtrimi online, ku persona të paidentifikuar po përdorin faqe interneti të rreme, të ngjashme me ato zyrtare, për të përfituar nga qytetarët.

Sipas njoftimit, faqet mashtruese shpërndahen përmes mesazheve SMS dhe email-eve të maskuara, duke u paraqitur si njoftime zyrtare për pagesën e gjobave të qarkullimit rrugor, kryesisht për tejkalim shpejtësie. Autoritetet theksojnë se këto mesazhe nuk janë dërguar nga institucionet shtetërore.
Qëllimi i kësaj skeme është marrja e të dhënave bankare të qytetarëve dhe më pas përvetësimi i fondeve nga llogaritë e tyre, përmes teknikave të njohura si “phishing”.
Policia u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal:

të mos klikojnë në linke të dyshimta të ardhura përmes SMS apo platformave të tjera;

të mos vendosin të dhëna bankare në faqe të pa verifikuara;

të kontrollojnë gjobat vetëm në kanalet zyrtare, si portali e-Albania.

Ndërkohë, edhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka paralajmëruar për rritjen e rasteve të ashtuquajtura “smishing” – mesazhe mashtruese që synojnë të krijojnë ndjesi urgjence dhe të drejtojnë përdoruesit drejt faqeve të rreme.

Sipas AKSK-së, asnjë institucion legjitim nuk kërkon përmes SMS të dhëna sensitive si numri i kartës, PIN-i, kodi CVV apo kodet e verifikimit (OTP).

Autoritetet këshillojnë qytetarët që, në rast se kanë klikuar një link të dyshimtë, të mos japin asnjë të dhënë, të mbyllin menjëherë faqen, të ndryshojnë fjalëkalimet dhe të kontaktojnë bankën përkatëse, si dhe të raportojnë rastin pranë institucioneve përgjegjëse.

Strukturat ligjzbatuese bëjnë me dije se po punojnë për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të kësaj skeme mashtrimi.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit bën me dije qytetarët se është konstatuar një skemë mashtrimi online, ku autorë të paidentifikuar kanë krijuar faqe interneti të rreme, të ngjashme me faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar.

Këto faqe shpërndahen përmes mesazheve SMS, dhe adresa emaili të maskuara, duke u paraqitur në mënyrë të rreme si njoftime të dërguara nga autoritete shtetërore, lidhur me pagesën e gjobave për shkelje të qarkullimit rrugor, kryesisht për tejkalim shpejtësie.

Sqarojmë se këto mesazhe NUK janë dërguar nga institucionet shtetërore.

Autorët kanë përdorur teknika të sofistikuara për të mashtruar qytetarët dhe për t’i orientuar drejt faqeve të rreme, ku u kërkohet vendosja e të dhënave bankare.

Qëllimi i kësaj skeme është vjedhja e të dhënave bankare dhe më pas përvetësimi i fondeve nga llogaritë e qytetarëve.

Policia e Shtetit bën thirrje për kujdes maksimal:

Mos klikoni në linke të dyshimta të ardhura përmes SMS apo platformave të tjera.

Mos vendosni asnjëherë të dhënat tuaja bankare në faqe të pa verifikuara.

Verifikoni çdo gjobë vetëm në kanalet zyrtare.

Qytetarët mund të kontrollojnë gjobat në portalin zyrtar e-Albania:
https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=879

Në rast se keni vendosur të dhënat bankare në faqe të dyshimta:

* Kontaktoni menjëherë bankën tuaj për të bllokuar kartën/llogarinë dhe për të marrë masat përkatëse si dhe denonconi rastet pranë Policisë së Shtetit.

Strukturat ligjzbatuese janë duke punuar për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve.