Është arrestuar me urdhër të SPAK ish-ministri i Mjedisti nga radhët e LSI-së Lefter Koka.

Forcat operacionale kanë mbërritur paraditen e sotme në Durrës, dhe kanë shoqëruar disa persona, mes tyre dhe Kokën, të cilit pritet që ti komunikohet dhe masa e arrestit.

Përveç Kokës burimet saktësojnë se ka dhe disa persona të tjerë të shoqëruar, të cilëve në vijim pritet që t’iu komunikohet edhe akuza.

Arrestimi i Kokës, ka nisur pas hetimeve për dosjen e inceneratorëve, që kanë nisur para disa muasjsh nga SPAK.

Hetimet për këtë dosje janë kryer nga prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.

Kush është Lefter Koka?

Lefter Koka u zgjodh ministër i Mjedisit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai u largua nga funksioni pas një mandati të plotë në vitin 2017, si pasojë e prishjes së koalicionit PS-LSI.

Lefter Koka ka përfunduar studimet në Fakultetit e Shkencave Juridike në Strugë. Ai u përfshi në politikë në vitin 2000 si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas angazhimit në sektorin privat.

Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ndërsa prej vitit 2009 është deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ndryshe nga shumica e deputetëve të opozitës, Lefter Koka nuk pranoi ta djegë mandatin e deputetit në vitin 2019.

Më 1 shtator, deputeti i zgjedhur i PS-së, Lefter Koka, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit të fituar në zgjedhjet e 25 prillit në Durrës.