Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytet, ku një makinë është hedhur në erë me tritol.

Burime bëjnë me dije se nga ngjarja kanë mbetur të plagosur dy persona.

Shpërthimi me tritol ka ndodhur pranë rrethrrotullimit të Selitës në Unazën e re.

Mësohet se dy personat e plagosur janë shoferi i mjetit ku u vu tritoli, Mikel Harizaj 42 vjeç dhe pasagjeri Serini Dumi 26 vjeç.

Mikel Harizaj rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë, pasi në vitin 2009 ka tentuar që të vrasë me granatë dore tre persona.

Ai u arrestua vetëm 3 vite më vonë nga Policia, teksa qëndronte te disa miq të tij në Tiranë.

Ngjarja:

Rreth orës 23:00 të datës 10 prill 2009, në Selenicë, për motive të dobëta është konfliktuar me tre shtetas në ambientet e një lokali. Menjëherë pas konfliktit, Mikel Harizaj ka dalë nga lokali dhe ka shkuar në makinën e tij, të cilën e kishte të parkuar afër lokalit nga ku ka marrë një granatë dore, me të cilën ka sulmuar shtetasit e mësipërm.

Nga shpërthimi i granatës u plagos rëndë asokohe shtetasi G. A., dhe më lehtë dy të tjerët. Operacioni për kapjen e tij u bë në Tiranë, pasi Mikel Harizaj ndodhej i fshehur te disa persona, me të cilët kishte lidhje shoqërore. Ndaj tij hu ngrit akuza për vrasje të mbetur në tentativë.

Duket se pas vuajtjes së dënimit, ndaj Harizajt ka nisur hakmarrja.