Pas një muaj përgjimesh, policia e Korçës ka përfunduar operacionin “Rrjetet sociale” duke vënë në pranga tre të rinj. Ndërkohë është shpallur në kërkim një tjetër. Të arrestuar janë Eris Beqo 20 vjeç, banues në fshatin Neviçisht, Korçë; Ksandro Pashollari, 28 vjeç banues në Korçë, dhe Xhulio Dapellari, 21 vjeç banues në fshatin Barç, Korçë. Në kërkim Kristian Ali 19 vjeç, banues në fshatin Goskovë, Korçë.
Nga hetimet e kryera, rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur nga rrjetet sociale, një 17-vjeçare, së cilës i kanë marrë përgjatë 1 muaji në kohë të ndryshme, shuma të ndryshme në lekë dhe euro, në shumën 200.000 lekë dhe 8.000 euro. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 100.000 lekë, 6.000 euro, një automjet tip “Benz” dhe katër aparate celularë.
Ngdaj tyre rëndojnë akuzat e “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” kryer në bashkëpunim.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.





