7 persona janë shoqëruar në polici, si të dyshuar për atentatin ndaj Romeo Meçajt që ndodhi mbrëmjen e kaluar pranë stadiumit të qytetit ‘Flamurtari’. Këta persona dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen e cila la të plagosur rëndë 33-vjeçarin, i cili u qëllua 15 herë me armë. Policia ka bërë të mundur sekuestrimin e kamerave të sigurisë në një lokal pranë vendngjarjes, aty ku u gjetën dhe 12 gëzhoja.

Romeo Meçaj u qëllua me breshëri kallashnikovi brenda mjetit të tij tip “Land Rover” rreth orës 21:00 të mbrëmjes. 33-vjeçari po parkonte mjetin e tij, kur disa persona i janë afruar dhe e kanë qëlluar me armë zjarri, pasi e kanë pritur “shënjestrën” e tyre pranë stadiumit, ndërsa kanë pasur dijeni të lëvizjeve të tij.

Pas të shtënave autorët u larguan me shpejtësi, ndërsa dogjën automjetin e tyre në zonën e quajtur “Shtatë Pallatet”, pranë Ujit të Ftohtë. Sipas Policisë së Shtetit, makina rezulton me targa të vjedhura, ndërsa brenda saj janë gjetur dy kallashnikovë të djegur, të cilët dyshohet se u përdorën për të qëlluar në drejtim të 33-vjeçarit Meçaj i cili ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë për jetën.

I riu rezulton të jetë pronar i një lokali në zonën e Lungomares në Vlorë. Policia ka nisur hetimet dhe nuk përjashtohet pista e hesapeve të vjetra.