Në takimin me furnizuesit e naftës, kryeministri Edi Rama, ka zbuluar zyrtarët që do të jenë pjesë e bordit që do të vendosë për çmimet e naftës dhe karburanteve të tjera në vendin tonë.

Rama tha se pjesë e bordit do të jenë ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, ministrja Belinda Balluku, dy drejtorët e Tatimeve dhe Doganave, si dhe kreu i Autoritetit të Konkurencës, Denar Biba.

Nga ana tjetër do të jenë 5 përfaqësues nga vetë biznesi, të cilët sipas Ramës duhet të jenë pjesë e sakrificës për përballimin e luftës.

Rama tha se nëse një pikë karburanti do të ketë një çmim më të lartë se ai i miratuar nga Bordi, që do të funksionojë përmes një akti normativ, atëherë biznesi do të mbyllet nga shteti.

“Përmes një bordi kombëtar, ju dhe qeveria çdo ditë, ministrja e financave, e Infrastrukturës dhe enerfjisë, drejtori i tatimeve dhe doganave, dhe kreu i autoritetit të konkurencës, dhe 5 nga ju, do të jeni në një tavolinë.

Nëse dikush vendos një çmim që nuk është miratuar nga bordi, atëherë do të humbasë pikën e kaburantit. Unë besoj se liria ekonomike është themelore, dhe nuk i besoj shtetit që hyn për të rregulluar çmimet. Ajo që na kërcënon më shumë, nuk është çmimi, por mungesa e furnizimit.

Ne do të bëjmë transparencë të përditshme në lidhje me çmimin, që njerëzit ta kuptojnë që çdo qindarkë është aty”, tha Rama.
Pjesë nga deklarata e Ramës:

Brenda paradites së nesërme do të duhet të na bëni me dije 5 përfaqësuesit tuaj, nesër pasdite Bordi do të mblidhet, mirë do të jetë që mbledhja të jetë me prezencë fizike, pastaj mbledhja do të ndiqet me zoom, ne e dimë që nuk funksionon tregu me caktim paraprak të çmimeve, por në këtë fazë qeveria do të thojë fjalën e saj të fundit.

Çdo pikë që ka një çmim të ndryshëm nga ajo që vendos bordio, do të humbasë pikën, kjo do të jetë e sanksionuar me ligj, pika do të merret për administrim nga shteti. Ne do të angazhohemi për të krijuar rezervat tona, duke përdorur Albpetrol, për të pasur aktorin e vetë për ditë të këqija.

Ne do të jemi në dispozicion për çdo ndihmë, në rast se furnizimi do të vështirësohet. Mbajtja e çmimit të energjisë në këto kushte, është një kosto marramendëse për shtetin, larg qoftë që të rrisim energjinë, që të heqim taksën e qarkullimit nga nafta.

Do të ishte një barrë dërrmuese, për të lehtësuar një pjesë tjetër që ka më shumë mundësi, se pensionistët. Sot spekulimet nuk do të tolerohen, kush do të shkojë te pika e karburantit duhet ta dijë se çfarë po paguan, që nuk do të paguajë dikë që bën para në luftë në kurriz të tyre.

Në asnjë mënyrë nuk do të hyjmë në një rrugë pa krye, që do ti çojë furnizuesit në falimentim, ju nuk do të shkoni në shtëpi me humbje, por nuk do të shkoni as me fitim. Ju do të shkoni në shtëpi në darkë, me idenë që i keni shërbyer vendit në kohë lufte.