ELBASAN– Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Koço Buzon, i cili vrau bashkëshorten e tij Luljana Buzo në dyert e Gjykatës së Elbasanit. Në njoftimin zyrtar, bëhet me dije se prokuroria e ka marrë të pandehur Koço Buzon për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë, “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Njoftimi: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan njofton se sot më datë 06/05/2022 ka përfunduar hetimi dhe është dërguar për gjykim procedimi penal nr. 535, për ngjarjen e ndodhur më datë 06/05/2021 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me të pandehur shtetasin: Koço Buzo hetuar me masën e sigurimit “arrest në burg” me akuzën e ngritur për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë, “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” të parashikuara nga nenet 79 gërma “e” dhe “ë”, e 22, 79/c, 274 dhe 278/1 të Kodit Penal, ku mbeti viktimë bashkëshortja e autorit, shtetësja Liljana Buzo si dhe mbetën të plagosur shtetasit Gëzim Toçila dhe Adriatik Kolaj. ” – thuhet mes të tjerash në njoftimin e prokurorisë.

Si ndodhi vrasja?

Në ditën kur gjykata e Elbasanit kishte planifikuar të zhvillonte gjyqin kundër Koço Buzos, ky i fundit është paraqitur me vonesë në gjykatë. Djali i të pandehurit, nga salla e gjyqit ka telefonuar babain e tij, duke e pyetur se ku ishte, por Koço, ia ka kthyer se për 5 minuta vinte brenda në sallën e gjykimin. Gjyqtarja e çështjes vendosi që të shtyjë seancën gjyqësore, ndërsa të pranishmit në sallën e gjykimit, kanë dalë jashtë. Mes tyre ishte dhe Liljana Buzo, e cila që në kontaktin e parë me bashkëshortin e saj, Koçon, ka rënë pre e sulmit me armë. Koço Buzo u paraqit me armën që e mbante në një çantë sportive me të cilën kishte planifikuar të kryente vrasjen e gruas, gjë të cilën e realizoi jashtë ambjenteve të gjykatës. Për këtë krim të rëndë nuk ka nisur ende gjyqi. Që prej vitit 2020, viktima Liljana Buzo kishte denoncuar të shoqin Koço Buzo për dhunë e kërcënime të vazhdueshme. Dhe si për ironi të fatit, Buzo e mori dënimin për dhunë në familje, pasi vrau gruan.