MALËSI E MADHE- Policia e Shkodrës ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me grabitjen e bankës këtë mesditë në Koplik. Në njoftim bëjet me dije se grabitësit, përveç parave në bankë, kanë marrë edhe një makinë. Pasi kanë djegur mjetin e tyre të lllojit “Golf” në dalje të Koplikut, ata kanë ndaluar një mjet ‘Mercedes Benz’ që ka kaluar rastësisht në atë zonë. Drejtuesin e makinës e kanë kërcënuar me armë dhe e kanë zbritur. Më pas janë larguar me mjetin e vjedhur.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 14:10, jemi njoftuar se disa persona të paidentifikuar kanë vjedhur, nën kërcënimin e armës, një shumë parash në filialin e një banke të nivelit të dytë, në Koplik, Malësi e Madhe, dhe më pas janë larguar me një mjet tip “Volksëagen”, të cilin e kanë djegur në dalje të qytetit. Personat, ende të paidentifikuar, pasi kanë djegur automjetin e tyre, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës, një automjet tjetër tip “Benz” të një qytetari të rastit dhe janë larguar. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe grupe të FNSH Shkodër. Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe sqarimin e plotë të rrethanave të saj.