ITALI- Personi që ka ekzekutuar shqiptaren Nevila Pjetri dyshohet të jetë një vrasës serial. Hetuesit italianë kanë dalë në këtë përfundim pasi në të njëjtën zonë ku u vra 35-vjeçarja është gjetur trupi i pajetë i një transgjinoreje që njësoj si shqiptarja ushtronte aktivitetin e prostitucionit. Në zyrën e prokurorit të La Spezias Antonio Patrono është duke u zhvilluar një takim në të cilin marrin pjesë karabinierët dhe policia. Së bashku me prokurorin janë edhe prokurorët Monica Burani dhe Rossella Soffio që merren me të dy rastet.
Nisur nga fakti që të dy trupat, si ai i Pjetrit dhe i transgjinores Carlo Bertolotti, kanë të njëjtat shenja, policia italiane është e bindur se bëhet fjalë për një vrasës serial. Jo shumë larg vendit ku u gjet trupi i transgjinores, karabinierët gjetën një makinë në të cilën u gjetën gjurmë gjaku. Makina, Ford Fiesta ngjyrë gri, pa targë, brenda së cilës u gjetën të paktën dy këllëfë armësh dhe disa gjurmë gjaku në dyshek, është në emrin e 44-vjeçarit. Policia arriti tek pronari i makinës përmes numrit të shasisë dhe e ka shoqëruar atë për ta marrë në pyetje. Dyshimet janë që i njëjti person të ketë vrarë edhe shqiptaren, por ende nuk ka një përfundim mbi këtë çështje.






