VLORË- Një i mitur është goditur nga një gomone pasditen e sotme në Vlorë. Mësohet se 7-vjeçari po notonte në afërsi të bregut të detit, kuë një gomone e drejtuar nga një 40-vjeçar e ka përplasur. I mituri është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë që drejtuesi i gomonës është shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë mbi ngjarjen.
Njoftimi i Policisë:
Sot, rreth orës 17:40, në plazhin e Jonufrës, shtetasi H. K., rreth 40 vjeç, duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone, ka dëmtuar një 7-vjeçar, i cili ka qenë duke notuar në afërsi të bregut. Aktualisht fëmija ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar nga Policia për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kjo është hera e dytë që një gomone përplas pushuesit në bregdetin tonë. Disa ditë më parë një gomone, doli nga deti në Jalë dhe përplasi në shezlog një çift pushuesish, duke bërë që ata të marrin lëndime të shumta.





