SHKODËR- 14 punonjës police, ish-efektivë, punonjës të administratës dalin sot para Gjykatës së shkallës së parë në Shkodër. Bëhet fjalë për Saimir Rrustemin, ish-Shef i Rendit në qytetin verior, i cili së fundmi ishte transferuar në sallën operative të Policisë në Dibër, ku më pas u arrestua së bashku me 14 punonjës të policisë e ish-zyrtarë.

Ajo që bie në sy është fakti se disa qytetarë me pankarta në duar me mbishkrimin ‘Shkodra do shef Saimirin’ ka dalë të protestojnë përpara Gjykatës së Shkodrës.

“Unë njoh punën e tij. Më ka bërë përshtypje korrektesa që e vlerësoj si model të rrallë në Shqipëri. Shumë korrekt. Arrestimi është veprim ekstrem. Kur dimë shumë mirë se çfarë akrobacish janë bërë në Shqipërinë tonë”, thotë një qytetare që ka dalë për të protestuar.

14 persona u arrestuan në radhët e policisë së Shkodrës, efektivë dhe ish-efektivë. Shkak për këtë janë bërë akuzat për abuzim me tenderin e rikonstruksionit të godinës së komisariatit të Malësisë së Madhe.