GREQI- Një çift me origjinë shqiptare ka ndërruar jetë në Greqi. Ata humbën jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik në Ionia Odos, pranë rrugës me pagesë të Terovës, rrugës për në Janinë.

Aksidenti rrugor ndodhi kur çifti ndaloi mjetin për të ekzaminuar një problem me makinën, mirëpo kjo rezultoi fatale. Në momentin që ata dolën nga makina, një mjet tjetër, i cili po kalonte i ka përplasur anash duke shkaktuar lëndime të rënda të të dyve, shkruan ‘Protothema.gr‘.

58 vjeçari shqiptar dhe gruaja e tij 50-vjeçe, dolën nga mjeti për të parë se çfarë po ndodhte për shkak të defektit mekanik, duke lënë të hapur derën e shoferit dhe derën pas sediljes së shoferit.

Përpjekjet e qytetarëve për ti shpëtuar kanë qënë të mëdha mirëpo raportohet se burri humbi jetën në vend ndërsa gruaja rrugës për spital. Sipas epiruspost.gr, dy fëmijët që ndodheshin në mjet janë dërguar në spital dhe gjithçka ka ndodhur para syve të tyre. Dy fëmijët janë të moshave 26 dhe 10 vjeç. Sipas informacioneve, çifti që humbi jetën po ktheheshin prej disa ditësh në vendlindje.