Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur mesditën e sotme në Kosovë, ku një grua u vra në Qendrën për Punë Sociale të Ferizajt.
Mësohet se viktima është 21-vjeçarja Erona Cokli, teksa raportohet i plagosur nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur edhe vëllai i saj 15-vjeçar. Paraprakisht, dyshohet se autor i krimit është ish-bashkëshorti i të resë, i cili e ka qëlluar atë dhe të miturin dhe më pas është arratisur.
“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri . Për pasoj nga të shtënat e armës së zjarrit një person e gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person mashkull , i cili është dërguar në Qendren Emergjente në Ferizaj. I dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur.
Ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje. Ekipe të hetuesve dhe krimteknikët janë në vendin e ngjarjes të cilët janê duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit”, thuhet në njoftimin e policisë.





