DHËRMI- Dy persona janë arrestuar në Dhërmi për vrasjen e Eraldo Nevruzit në Dhërmi. Të arrestuarit, Daniel Qose dhe David Larti janë punonjës të hotelit “Greccia”, ndërsa dyshohet se kanë ndihmuar autorin e dyshuar të krimit në kryerjen e vrasjes dhe fshjen e trupit të viktimës.

Sipas policisë nga kqyrja e banesës ku qëndronte Gerald Shehu, në një kasafortë në dhomën e gjumit, policia ka gjetur 1 fishek arme zjarri me kapsollë të goditur që u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminim.

Ndaj autorit të dyshuar të vrasjes Gerald Shehut, i cili u arrestua në një aeroport grek është ngritur akuza për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa për Daniel Qosen dhe David Lartin për veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim.

NJOFTIMI I POLICISË:

Himarë/ Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas, të cilët dyshohet se ndihmuan autorin e ngjarjes kriminale të ndodhur ditën e djeshme, në Dhërmi, për të fshehur trupin e pajetë të shtetasit E. N.

Nga veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dyshohet se autori, shtetasi G. Sh., pasi e ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. N., është ndihmuar për të fshehur trupin, nga 2 punonjës të hotelit të tij, shtetasit D. Q., 33 vjeç dhe D. L., 30 vjeç, të dy banues në Korçë.

Nga këqyrja e banesës ku qëndronte shtetasi G. Sh., në një kasafortë në dhomën e gjumit, shërbimet e Policisë gjetën 1 fishek arme zjarri, me kapsollë të goditur, i cili u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim.

Në fuksion të hetimeve të thelluara u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme, sende dhe mjete të tjera të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.

Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për shtetasin G. Sh., për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe për shtetasit D. Q. dhe D. L., për veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim.

Si ndodhi vrasja ?

Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesnatës së të mërkurës rreth orës 00:30 në ambjentet e hotelit “Greccia” në Dhërmi. 43-vjeçari Gerald Shehu (bashkëpronar i hotelit në fjalë) për arsye ende të paqarta ka ekzekutuar me armë zjarri recepsionistin e hotelit Eraldo Nevruzi 31-vjeç.

Sipas policisë, Shehu e ka qëlluar me armë zjarri 31-vjeçarin në një nga dhomat e hotelit, pasi ai kishte marrë turnin dhe pasi ka zhdukur trupin, është arratisur drejt vendit fqinj, Greqisë. Autori dyshohet se u arratis me një makinë tip “Audi”, e cila u gjet afër portit në Sarandë dhe më pas udhëtoi drejt Qafë Botës, i ndihmuar nga persona të tjerë. 43-vjeçari kishte destinacion përfundimtar Anglinë por është kapur në aeroport nga Policia greke me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.

Nga hetimet e deritanishme thuuhet se dy janë pistat paraprake të hetimit, një për konflikt banal të çastit dhe tjetra për njohje të mëparshme dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme në Angli ku të dy, viktima dhe autori jetonin e punonin.

Ndërkohë një kolege e 31-vjeçarit ka treguar se ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur brenda dhomave të stafit, ndërsa e ka cilësuar Nevruzin si një person ‘të lëvizshëm’. Policia vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë.