Sot rreth orës 13:00 në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, një 57-vjeçar ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë pas një sherri me thika.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar për mediat vendase se, sipas informacionit të paraqitur, ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave. Kjo përplasje ka rezultuar në plagosjen e dy individëve me një mjet të mprehtë, dyshohet se është thikë.

“Rreth orës 13:00, policia ka marrë informacion për një vrasje që ka ndodhur në fshatin Zllakuqan të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informacionit, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të hetuar rrethanat e ngjarjes. Nga informacionet e para, dyshohet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me plagosjen e dy personave. Njëri prej tyre ka ndërruar jetë, ndërsa tjetri është dërguar në spital për trajtim mjekësor. Vdekjen e viktimës mashkull, rreth 57 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF në Magure,” tha Ahmeti.

Policia është duke hetuar ngjarjen dhe po mban nën mbikëqyrje të gjitha aspektet e mundshme që kanë çuar në këtë përplasje fatale. Autoritetet janë angazhuar për të zbardhur rrethanat dhe për të marrë masat e nevojshme për të siguruar që incidenti të mos përsëritet.