Në një ngjarje shqetësuese në maternitetin e Korçës, një vajzë 14-vjeçare ka lindur fëmijën e saj, ndërsa i fejuari i saj 21-vjeçar është arrestuar për akuzën e marrëdhënieve seksuale me të mitur. Ky rast ka shkaktuar reagime të forta nga familja e të miturës, e cila ka kërkuar lirimin e të arrestuarit.
Pas publikimit të ngjarjes, vajza me inicialet A.J ka kërkuar lirimin e partnerit të saj nga burgu. Po ashtu, edhe prindërit e vajzës kanë dalë në mbështetje të dhëndrit, duke kërkuar që ai të lirohet menjëherë. Në një deklaratë për mediat, mamaja e vajzës ka shprehur se martesa e saj ishte e dëshiruar dhe se mosha nuk është një problem për ta. Ajo ka theksuar se dhëndri punon dhe mbështet vajzën dhe se për këtë arsye duhet të lirohet.
Deklarata e plotë e nënës:
“Ka dashuruar vajza dhe ne kemi rënë dakord. Ne jemi martuar të vogla dhe nuk është problem mosha për ne. Edhe unë kam qenë martuar në moshë të vogël. E kemi martuar vajzën me dëshirë në Korçë dhe dhëndri duhet të lirohet sa më shpejt. Ai punon dhe mbështet nusen. Kur ka lindur, është njoftuar policia dhe dhëndri e ka shoqëruar vajzën në spital.”
Deklarata e plotë e babait:
“Jam babai i vajzës dhe ajo është martuar me dëshirë. Ne i dhamë leje për të martuar vajzën në Korçë, sepse jemi nga Elbasani dhe në racën tonë martohemi të vegjël. Dhëndri nuk e mori vajzën me zor. Pas lindjes, pati probleme dhe më morën dhëndrin në polici. Vajza ka gati një vit e gjysmë e martuar dhe dua që dhëndri të lirohet sa më shpejt. Shteti që hyn në këtë punë është pa arsye.”
Policia dhe autoritetet ligjore janë duke e trajtuar rastin në përputhje me ligjin dhe për të mbrojtur të drejtat e të miturve.





