Një sherr në përmasat e një skandali ka ndodhur ditën e sotme në shkollën 9-vjeçare Fan Noli.

Disa adoleshentë janë përleshur me njëri-tjetrin dhe sherri ka agravuar në përdorimin e thikave.

Nga sherri mes tyre, një 14-vjeçar ka humbur jetën në spital, ndërsa një i mitur tjetër është i plagosur.

Bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur brenda 90 sekondave, ndërsa dy të miturit, njëri i plagosur tashmë në spital, janë sulmuar nga 3 persona, bashkëmoshatarë të tyre.

Sipas informacioneve, dy adoleshentët ishin bashkë dhe dyshohet se janë qëlluar nga tre 14-vjeçarë të tjerë teksa njëri prej autorëve të dyshuar është shoqëruar nga policia.

Paraprakisht dyshohet se gjithçka ka nisur nga për shkak të një përplasjeje në rrjetet sociale, ku janë përfshirë dy grupe adoleshentësh.

Pasi është goditur me thikë, i mituri është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe ka nisur të humbë gjak, më pas është rrëzuar në trotuarin para shkollës.

14-vjeçari është rrethuar nga fëmijët e tjerë të shkollës, që janë përpjekur t’i ndalin gjakderdhjen nga plaga në pjesën e majtë të stomakut.

Pak minuta pasi ka qëndruar i shtrirë në trotuar 14-vjeçari ka humbur ndjenjat.

Sipas informacioneve, një pjesë e nxënësve në vendin e ngjarjes vrapuan të lajmërojnë mësuesit ndërsa disa kanë marrë në telefon ambulancën dhe disa policinë.

Gjithashtu bëhet me dije se për të dërguar 14-vjeçarin në spital kanë ndërhyrë kalimtarë të rastit që e kanë marrë me makinë.

Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu nga Kuvendi ka deklaruar se dhimbja për këtë ngjarje është e paimagjinueshme. Deputetja demokrate Ina Zhupa i ka kërkuar Ministres që të japë dorëheqjen.