SPANJE – Përfaqëuesja e Kosovës ka shënuar fitore të merituar me rezultat 3-1 ndaj Islandës në ndeshjen e dytë të “play-off”-it, zhvilluar në Murcia të Spanjës, duke siguruar inkuadrim në Ligën B për sezonin e ardhshëm të Nations League me rezultat të përgjithshëm 5-2. Kujtojmë se ndeshja e parë në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, ishte fituar me rezultartin 2-1 nga “Dardanët”.

Gjithsesi, në ndeshjen e dytë ishin islandezët ata që kaluan në avantazh të parët, duke shënuar qysh në minutën e dytë përmes Oskarrson që realizoi për 1-0.

Pas pësimit të golit, Kosova dalëngadalë filloi ta marrë ritmin e lojës, duke kontrolluar kundërshtarin në çdo cep të fushës. Në minutën e 9-të, Paqarada harkoi në zonë, Rrahmani gjuajti me kokë, por në duart e portierit.

‘Dardanët’ rrezikuan sërish në minutën e 15-të, kësaj radhe përmes Ermal Krasniqit, por ai ishte i pafat pasi gjuajtja e tij përfundoi pak mbi portë. Pas disa tentimeve të njëpasnjëshme për ta gjetur golin, Kosova e gjeti atë në minutën e 35-të.

Nga një aksion fantastik që kaloi fillimisht në këmbët e Milot Rashicës dhe pastaj tek Leart Paqarada, ky i fundit asistoi te Vedat Muriqi i cili realizoi, duke barazuar 1-1.

Teksa luheshin sekondat e fundit të pjesës së pare, Milot Rashica bëri një super asistim për Vedat Muriqin, i cili realizoi sërish për ta përmbysur rezultatin në 2-1 për Kosovën.

Në pjesën e dytë Muriqi realizoi golin e tij të tretë personal dhe të tretin për Kosovën në këtë takim në minutën e 79-të, duke fiksuar rezultatin 3-1.

Kjo fitore ishte një arritje historike për Kosovën, pasi për herë të parë “Dardanët” siguruar pjesëmarrjen në Ligën B të Nations League.