GJERMANI – Gjermania, Portugalia, Spanja dhe Franca janë gjysmëfinalistet e Ligës së Kombeve të këtij edicioni. Të katër skuadrat u kualifikuan pas dueleve të kthimit çerekfinale të çmendura, ku u shënuan 21 gola në 4 sfida, por një u mbyll me shtesa e dy të tjera me penallti.

Gjermania dhe Italia dhuruan një ndeshje të çmendur mes tyre, pasi në pjesën e parë ishte një dominim absolut i gjermanëve që shënuan tre herë në portën e Donarumës. Por kundërpërgjigja italiane do të vinte në të dytën, kur edhe ata shënuan 3 herë në portën e Gjermanisë duke bërë që në fund të kishte drithërima për kualifikimin e mëtejshëm, Në fund barazimi i mjaftoi Gjermanisë që kishte fituar 2-1 sfidën e parë në Itali.

Ndërkohë, u deshën shtesat dhe penalltitë për të përcaktuar ekipet e kualifikuara në ndeshjet e tjera. Trinkao u bë heroi i Portugalisë në një ndeshje me shumë emocione ndaj Danimarkës. Ronaldo u bë protagonist pasi humbi penallti e shënoi gol në pjesën e dytë. Por u desh goli i Trinkao për të çuar ndeshjen në shtesa e më pas një tjetër nga ai sapo filluan ato për t’i dhënë avantazhin 4-2, ndërsa më pas Gonçalo Ramos vulosi shifrat 5-2 që siguruan vijimin e luzitanëve në këtë turne.

Spektakolare ishte ndeshja mes Spanjës dhe Holandës, të cilat pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë, dhuruan një rezultat të tillë edhe në 90 minutat e të dytës. Në shtesa Jamal shënoi një supergol për të kaluar iberikët në avantazh, por miqtë u përgjigjen me Çavi Simons. Kështu, ndeshja shkoi te penalltitë për të përcaktuar ekipin gjysmëfinalist. Spanjollët triumfuan 5-4 në gjuajtje e tyre dhe kaluan në gjysmëfinalet e turneut.

Francës i duhej fitore ndaj Kroacisë dhe ia doli të triumfonte 2-0, po aq sa shifrat e ndeshjes së parë në favor të ballkanasve. Shtesat nuk prodhuan gola të tjerë dhe u deshën penalltitë për të përcaktuar fituesit, ku rezultuan më të saktë francezët që shkuan në katërshen e më të mirëve të turneut me shifrat 5-4.