Prej dy ditësh, vijon pa ndërprerje operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e 29-vjeçarit Ardit Beshiri, i cili rezulton i zhdukur pas çarjes së një rezervuari uji pranë fabrikës së përpunimit të kromit në zonën e quajtur Qafë-Burrel, në Klos.
Top-News1 ka siguruar pamjet e momentit të çarjes së rezervuarit të ujit pranë fabrikës së përpunimit të kromit në vendin e quajtur Qaf Burrel në Klos.
Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën, kur rezervuari i mbushur me ujë dhe rërë teknologjike nga procesi i përpunimit të kromit u çar, duke krijuar një vërshim të fuqishëm që përfshiu gjithë zonën e poshtme ku ndodhej Beshiri, i cili po punonte me një eskavator. Deri më tani, janë gjetur vetëm disa pjesë të mjetit të tij, ndërsa nuk ka ende asnjë gjurmë të të riut.
Në vendin e ngjarjes ndodhen ekipe të shumta nga AKSEM, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, si dhe banorë e familjarë të Beshirit, që vijojnë kërkimet në një terren të vështirë malor, ku sasia e madhe e materialit të rrëshqitur është zhvendosur disa kilometra më larg.
Familjarët kanë bërë apel për shtimin e forcave në operacionin e kërkimit, ndërsa shpresat për gjetjen e tij po veniten me kalimin e orëve.
https://youtu.be/qXN-RgCB6nY





