Elbasan, 28 nëntor 2025 – Në vigjilje të festave të 28–29 nëntorit, një vogëlushe nga Elbasani ka prekur zemrat e publikut me talentin dhe shpirtin e saj artistik. Belisa Ademi, vetëm 9 vjeçe, ka surprizuar mijëra shikues me këngën e re “Gëzuar Shqipëri”, një krijim plot ngjyra, energji dhe simbolikë patriotike.
Nxënëse e klasës së tretë në shkollën “Qamil Guranjaku”, Belisa ka vite që e ushqen pasionin për muzikën, por ky projekt shënon daljen e saj më të fuqishme në skenë. Kënga, e publikuar në YouTube, po ndiqet me interes të madh dhe ka marrë qindra komente pozitive vetëm në orët e para.
“Gëzuar Shqipëri” është një këngë që i kushtohet nënës Shqipëri, me vargje të fuqishme dhe ritme që sjellin atmosferën e festave kombëtare. Në koreografi dominojnë ngjyrat kuqezi, duke i dhënë klipit një identitet të pastër patriotik dhe një emocion që të ngacmon që në sekondat e para.
Për realizimin e kësaj kënge është bërë një punë e madhe profesionale: nga teksti, te muzika, orkestrimi, koreografia dhe videoproduksioni. Belisa e ka përballuar projektin me një seriozitet të rrallë për moshën e saj, duke treguar jo vetëm talent, por edhe përkushtim të jashtëzakonshëm.
Reagimet kanë qenë të menjëhershme: shokët dhe shoqet e Belisës e kanë duartrokitur, mësuesit janë shprehur krenarë, ndërsa qytetarët anë e kënd trojeve shqiptare kanë përshëndetur për energjinë dhe guximin artistik. Admirimi për të është rritur çdo ditë, teksa shumë e shohin si një premtim të vërtetë të skenës së ardhshme muzikore.
Ekipi realizues:
Artist: Belisa Ademi
Music & Production: Vullkani Records
Lyrics: LOCO
Choreography: Art Revolution Dance
Video: Besnik Ademi
Support: Kostume popullore Zhani, Kriva Palce
Kjo vogëlushe e talentuar po dëshmon se arti nuk njeh moshë. Me zërin, energjinë dhe shpirtin e saj të pastër patriotik, Belisa Ademi po sjell një frymë të re në muzikën për fëmijë dhe jo vetëm, duke lënë gjurmë në një moment të rëndësishëm për çdo shqiptar.




