LEZHË, 27 Prill 2026 – Policia e Lezhë ka identifikuar tre persona si autorë të dyshuar të vrasjes së çiftit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, ngjarje e ndodhur më 26 prill në fshatin Balldren.
Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Drejtues Arben Nasufi, bëri të ditur se autorët e dyshuar janë shtetasit A.M., 22 vjeç, F.M., 36 vjeç dhe R.M., 23 vjeç, të tre banues në Lezhë dhe aktualisht në kërkim.
Sipas tij, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:50 në rrugën Balldren–Torovicë, ku nga persona të paidentifikuar fillimisht është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga Kreshnik Mujeci, i cili udhëtonte së bashku me bashkëshorten e tij.
Hetimet e deritanishme, të kryera nga një grup i posaçëm nën drejtimin e Prokurorisë, kanë përfshirë analizimin e pamjeve filmike, provave materiale dhe veprimeve operative në terren. Si rezultat, është identifikuar një nga automjetet e përdorura nga autorët, tip “Audi A4”, si dhe një automjet tjetër tip “Volkswagen” pa targa.
Sipas dinamikës së ngjarjes, automjetet e autorëve kanë ndjekur dhe më pas i kanë prerë rrugën mjetit të viktimave, duke hapur zjarr me breshëri armësh, çka ka sjellë vdekjen e menjëhershme të çiftit Mujeci.
Policia dyshon se ngjarja ka motiv hakmarrjen, ndërsa kontrolle janë ushtruar në disa banesa dhe ambiente të lidhura me të dyshuarit, por pa rezultat.
Strukturat e Policisë, përfshirë forcat speciale RENEA dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, vijojnë operacionin në terren për lokalizimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për sekuestrimin e armëve dhe mjeteve të përdorura në krim.
Hetimet vijojnë në mënyrë intensive për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.





