Masat ajrore me origjinë nga Afrika e Veriut, të cilat po furnizohen me lagështi nga Deti Mesdhe, kanë sjellë kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme në territorin e Shqipërisë.
Sinoptikania Elida Maloçali, në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve në Top Channel, tregoi se si do të jetë moti edhe në javën e ardhshme.
Sipas parashikimeve meteorologjike, gjatë fundjavës vendi do të jetë me mot të ndryshueshëm, ku alternohen kthjellime dhe vranësira. Në orët e mesditës, vranësirat pritet të shoqërohen me reshje shiu dhe rrebeshe kryesisht në zonat malore, ndërsa vija bregdetare mbetet kryesisht pa reshje.
Era do të fryjë me shpejtësi nga 7 deri në 14 m/s, duke sjellë kushte lokale të ndryshueshme në disa zona.
Sa i përket temperaturave, vendi ndodhet në kushte tipike subtropikale, me vlera që pritet të arrijnë deri në 33-34°C gjatë fundjavës.
Edhe gjatë javës së ardhshme, moti do të mbetet i ngjashëm, me kthjellime në pjesën më të madhe të territorit dhe reshje të izoluara në relievet malore. Temperaturat pritet të rriten më tej, duke arritur deri në 34-35°C, ndërsa era do të jetë më e lehtë, rreth 5 m/s.





