Një 7-vjeçar u përplas për vdekje mëngjesin e sotëm në fshatin Mengel të Elbasanit nga regjisori i njohur Petri Bozo.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në aksin Elbasan-Librazhd, rreth orës 08:00, kur i mituri ka qenë duke shkuar në shkollë i shoqëruar nga e ëma.
Dinamika e aksidentit është ende e paqartë. Sipas burimeve i mituri i ka ikur nga dora të ëmës që po e çonte në shkollë dhe në këtë moment është përplasur nga mjeti që drejtohej nga regjisori Bozo.
Për aksidentin, policia ka shoqëruar në komisariat regjisorin, ndërsa një grup hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
“Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, automjeti me drejtues shtetasin P. B., 61 vjeç, ka përplasur një fëmijë rreth 7 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, njoftoi sot policia.
Pas ngjarjes së rëndë banorët thonë se shoferët ecin shumë shpejt dhe se ky nuk është aksidenti i parë që ka ndodhur në këtë zonë, por një tjetër i mitur ka ndërruar jetë para disa vitesh pranë të njëjtit vend.
“Shoferët ecin shumë shpejt, këtu është zonë e banuar. Edhe para 4-5 vitesh në të njëjtin vend ka vdekur një tjetër fëmijë”, thotë banori.
I mituri ishte nxënës në shkollën 9-vjeçare “Sulejman Rranci”, e cila ndodhet në buzë të aksit nacional Elbasan-Librazhd, ndërsa në rrugë nuk mungon sinjalistika.






