ULQIN – Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik në Shqipëri dhe Mal të Zi, ku një 36-vjeçare me origjinë nga Lezha dyshohet se është vrarë nga bashkëjetuesi i saj.
Viktima është identifikuar si Dila Ndoj, nga Balldreni i Lezhës, ndërsa autor i dyshuar i krimit është partneri i saj, Bashkim Gashi, 46 vjeç nga Kosova.
Sipas hetimeve paraprake të autoriteteve malazeze, ngjarja ka ndodhur në lagjen Kodër të Ulqinit. Pasi ka kryer krimin, 46-vjeçari dyshohet se i ka vënë flakën banesës ku jetonin, me qëllim për të fshehur gjurmët e ngjarjes së rëndë.
Trupi i pajetë i Dila Ndojt u gjet nga shërbimet e emergjencës brenda shtëpisë së përfshirë nga flakët. Ndërkohë, policia malazeze ka bërë të mundur arrestimin e Bashkim Gashit, i cili ka pësuar lëndime trupore nga zjarri.
Kjo ngjarje ka shkaktuar tronditje dhe dhimbje të madhe te familjarët dhe banorët e Balldrenit në Lezhë, ku pritet të zhvillohet edhe ceremonia mortore. Autoritetet e Malit të Zi kanë nisur procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij krimi makabër.





