Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Golem të Lushnjës, ku një 40-vjeçar ka mbetur i plagosur pas një konflikti për motive banale.

Sipas burimeve zyrtare nga policia, një 17-vjeçar, gjatë një debati me 40-vjeçarin, e ka goditur dy herë me thikë.

Menjëherë pas ngjarjes, i plagosuri është transportuar në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Lushnjës, ku po merr ndihmën mjekësore. Burimet bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, autori i dyshuar, 17-vjeçari, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lushnjë, ndërsa është sekuestruar edhe thika e përdorur në plagosje.

“Rreth orës 19:05, në fshatin Golem i Vogël, një shtetas i mitur 17-vjeçar dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin L. S., 42 vjeç. Shtetasi L. S., është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin e mitur në ambjentet e Komisariatit për veprime të mëtejshme“, njofton policia.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.