LUSHNJË- Është vendosur në pranga 45-vjeçari Florion Dalladaku, autori i krimit të rëndë familjar të ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Krutje të Lushnjës. Nga informacionet e dhëna nga policia, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:20 në banesën e familjes.

Për motive ende të paqarta, Florion Dalladaku dyshohet se ka goditur me mjet prerës metalik sqepar nënën e tij, shtetasen Fanije Dalladaku, 80 vjeçe, si dhe të atin, shtetasin Hasan Dalladaku, 77 vjeç.

Si pasojë e goditjeve, 80-vjeçarja ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa kryefamiljari ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital nën kujdesin intensiv të mjekëve.

Pas krimit makabër, 45-vjeçari u largua me shpejtësi, por u vu në pranga në qytetin e Fierit vetëm një orë më vonë, teksa përpiqej të arratisej me një automjet të llojit Ford me ngjyrë blu. Grupi hetimor po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.