LEZHË – Një shpërthim i bombolës së gazit ka shkaktuar një ngjarje të rëndë mbrëmjen e sotme në një banesë në Markatomaj të Lezhës, ku gjashtë persona, pjesëtarë të së njëjtës familje, kanë mbetur të lënduar.

Të dëmtuarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lezhës për të marrë ndihmën mjekësore. Tre prej tyre janë dërguar me autoambulanca, ndërsa tre të tjerët janë transportuar me automjete private, me ndihmën e fqinjëve dhe familjarëve.

Sipas informacioneve paraprake, gjendja e tre të lënduarve paraqitet e rëndë, pasi kanë pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit.

Për shkak të gjendjes shëndetësore, njëri prej të plagosurve është transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe policia, ndërsa vijojnë verifikimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e shpërthimit.