Qeveria shqiptare po përgatit një paketë masash drastike për të frenuar protestat e dhunshme, ndëshkuar sulmet ndaj policisë dhe parandaluar dëmtimin e pronës publike e private. Nisma përfshin masa shtrënguese direkte jo vetëm për protestuesit e dhunshëm, por edhe për familjarët e të miturve të përfshirë, si dhe kufizime të ashpra në udhëtime, arsim, teknologji dhe rrjete sociale.
5 pikat kryesore të paketës së masave:
Kufizimet e udhëtimit dhe aksesit në shërbime:
Krijimi i një regjistri të posaçëm dhe liste të zezë në sistemin TIMS për personat e dhunshëm.
Bashkëpunim me vendet e BE-së për t’u ndaluar hyrjen në zonën evropiane.
Kufizim i aksesit në aeroporte, hotele, trena dhe mjete të tjera transporti.
Masat ndaj të miturve dhe familjeve të tyre:
Detyrimi i prindërve për të paguar dëmet materiale të shkaktuara nga fëmijët e tyre.
Ndërprerja e shërbimeve shtetërore për familjet e të miturve që dëmtojnë pronën.
Shqyrtimi i mundësisë për uljen e moshës së përgjegjësisë penale (aktualisht 14 vjeç).
Masat në sistemin arsimor:
Heqja e bursave dhe mbështetjes financiare shtetërore për studentët e përfshirë në akte dhune.
Masa administrative për nxënësit që braktisin mësimin për të marrë pjesë në protesta.
Përjashtimi nga sistemi arsimor i mësuesve që nxisin nxënësit drejt dhunës.
Ndalimi i maskimit dhe identifikimi me teknologji:
Ndalimi me ligj i pjesëmarrjes në protesta me fytyrë të mbuluar.
Investime në teknologji për identifikimin e personave të maskuar dhe deanonimizimin e profileve anonime në rrjetet sociale që nxisin dhunë.
Kufizimi i rrjeteve sociale:
Shqyrtimi i mundësisë për ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç.





