Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e Denaldo Maxhallakut, shqiptarit 31-vjeçar që u gjet i pajetë në një pus në zonën e Longianos, në provincën e Çezenës, Itali.

Një 29-vjeçar italian është ndaluar nga autoritetet, pasi dyshohet se ka vrarë shqiptarin dhe më pas ka fshehur trupin e tij.

Sipas mediave italiane, i dyshuari ka pranuar përgjegjësinë gjatë marrjes në pyetje. “Isha unë”, mësohet të ketë deklaruar ai, duke pranuar krimin.

Sipas hetimeve paraprake shkak i konfliktit mund të ketë qenë një borxh prej rreth 500 eurosh, i lidhur me furnizimin me lëndë narkotike. Sipas rindërtimit të ngjarjes të publikuar nga mediat italiane, debati mes dy personave ka përfunduar në dhunë fatale.

Gjatë marrjes në pyetje, 29-vjeçari dyshohet se ka pretenduar se ndihej i kërcënuar dhe kishte frikë për veten dhe familjen e tij.

“Kisha frikë për veten dhe familjen time, u ndjeva i kërcënuar”, citohet të ketë deklaruar ai, duke u përpjekur të shpjegojë rrethanat që, sipas tij, paraprinë krimin.

Sipas rindërtimit të publikuar nga gazeta italiane Il Resto del Carlino, i dyshuari ka deklaruar gjithashtu se kishte humbur kontrollin gjatë konfliktit. Ai dyshohet se e ka qëlluar shqiptarin me armë zjarri, ka fshehur trupin në pus dhe më pas ka djegur automjetin e viktimës për të zhdukur gjurmët.

Denaldo Maxhallaku, i cili jetonte në Gatteo dhe punonte si bojaxhi, ishte zhdukur në fillim të tetorit. Sipas raportimeve italiane, ai ishte larguar nga banesa më 8 tetor, duke i thënë bashkëshortes: “Po shkoj në bar, shihemi në mbrëmje”. Ai nuk u kthye më në shtëpi.

Një ditë pas zhdukjes, automjeti i tij u gjet i djegur në një zonë disa kilometra larg vendit ku u zbulua më vonë trupi. Për afro tri javë, karabinierët vijuan kërkimet në zonën përreth, duke kontrolluar terrene, kanale dhe puse.

Trupi u gjet më 28 tetor, në fund të një pusi në zonën e Felloniche, në territorin e Longianos. Pranë vendit ku u zbulua viktima u gjetën edhe gëzhoja, ndërsa dyshimet paraprake janë se shqiptari u vra me armë zjarri.

Viktima ka lënë pas bashkëshorten dhe vajzën e vogël, vetëm një vjeçe. Duke folur për të shoqin, bashkëshortja e tij e ka përshkruar si një njeri të përkushtuar ndaj familjes dhe punës.