Qeveria shqiptare ka miratuar një plan për heqjen graduale të kategorive të vjetra EURO të automjeteve gjatë periudhës 2027–2030, si pjesë e përafrimit të sektorit të transportit me standardet mjedisore të Bashkimit Europian.
Dokumenti, i konsultuar nga Skyweb.al, parashikon zbatimin e standardeve europiane për homologimin e automjeteve dhe emetimet ndotëse, duke synuar eliminimin gradual të kategorive të vjetruara EURO.
Në këtë kategori përfshihen standarde të hershme si Euro 3 dhe Euro 4, të cilat karakterizojnë një pjesë të automjeteve të prodhuara gjatë viteve 2000.
Sipas strategjisë, procesi do të nisë në vitin 2027 dhe është planifikuar të përfundojë në vitin 2030.
Masa synon përmirësimin e standardeve mjedisore të flotës së automjeteve dhe kufizimin gradual të përdorimit të teknologjive me nivel më të lartë ndotjeje.
Megjithatë, strategjia nuk përcakton ende shprehimisht se cilat kategori EURO do të përjashtohen në secilën fazë dhe nëse kufizimet do të zbatohen vetëm për importin dhe regjistrimin e automjeteve apo edhe për mjetet që janë aktualisht në qarkullim.
Për zbatimin e planit do të angazhohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Ministria e Financave.
Ndryshimet pritet të shoqërohen me përshtatjen e rregullave të homologimit, kontrollit të emetimeve dhe standardeve që duhet të përmbushin automjetet.
Një tjetër masë konkrete e strategjisë lidhet me autobusët e transportit ndërqytetas.
Qeveria ka parashikuar një program të posaçëm për rinovimin gradual të flotës së transportit të pasagjerëve gjatë viteve 2028–2030.
Në këtë rast, dokumenti përcakton shprehimisht heqjen graduale të kategorive të vjetruara EURO nga flota e autobusëve, krahas vendosjes së kërkesave të reja për sigurinë dhe pajisjet teknologjike.
Autobusët do të duhet të përmbushin standarde më të larta sigurie, duke përfshirë sisteme ABS dhe ESC, kamera sigurie CCTV dhe pajisje telematike.
Për hartimin dhe zbatimin e këtij programi është parashikuar një kosto prej 200 mijë eurosh.
Strategjia përfshin gjithashtu nxitjen e përdorimit të automjeteve elektrike dhe hibride, zgjerimin e infrastrukturës së karikimit dhe reduktimin e ndotjes nga transporti rrugor.
Heqja graduale e kategorive të vjetruara EURO është pjesë e objektivit për dekarbonizimin e transportit dhe harmonizimin e rregullave shqiptare me ato të Bashkimit Europian.
Hapat konkretë të zbatimit, kategoritë e automjeteve që do të preken dhe kufizimet përkatëse do të duhet të përcaktohen përmes akteve të mëtejshme rregullatore gjatë periudhës së zbatimit të strategjisë.





