Furrat e bukës, që kanë të integruara shërbime të tjera si pastiçeri apo bar-kafe, do të diferencohen në tarifat që paguajnë për energjinë.
Aktualisht furrat e bukës paguajnë një tarifë 7.6 lekë/kWh sipas një çmimi të vendosur nga Enti vite më parë, por që nuk merr parasysh ndryshimet apo evoluimin që ka pësuar ky treg viteve të fundit.
Tre çmime për tre kategori
Pas ngritjes së një grupi pune dhe konsultimeve të vazhdueshme, Shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave dhe MIE e OSHEE Group, kanë rënë dakord për tre çmime të ndryshme sipas llojit të aktivitetit që ka subjekti.
Ky propozim, i cili u njoftua nga administratori i OSHEE-së, pritet që të shkojë në ERE për t’u miratuar, duke i hapur rrugë zbatimit.
-7.6 lekë/kWh që është vetëm për subjektet të cilat kanë veç furrë buke;
-çmimi 9.5 lekë/kWh është për furra buke dhe aktivitete më të integruara si pastiçeri apo produkteve të tjera të brumit
-çmimi 12 lekë/kWh është për ambiente që kanë dhe bar-kafe.
Si do të bëhet verifikimi i subjekteve
Burime nga grupi i punës thanë për “Monitor” se kategorizimi i subjekteve që do t’u nënshtrohen më pas çmimeve të reja pritet të bëhet mbi bazë verifikimi, në dokumentacion dhe terren.
Ende nuk ka një procedurë standarde të unifikuar dhe të miratuar për hapat që do të hidhen, por pika e nisjes pritet të jetë baza e të dhënave që kompania publike e shpërndarjes ka në sistemin e saj.
Kjo do të thotë se do të shihen të gjithë subjektet e regjistruar, kur kanë hapur kontratën, NIPT-i i tyre dhe objekti që kanë në veprimtari të tyre.
Biznesit mund t’i jepet gjithashtu mundësia të vetëdeklarojë kategorinë ku operon, pra nëse është furrë buke apo një aktivitet i integruar. Pas kësaj, për të qenë sa më korrektë në vendimin e ndarjes së tarifave, OSSH me shumë gjasa mund të kalojë në verifikim në terren për 2600 subjektet që janë të deklaruar në këtë lloj aktiviteti.
Në çdo rast do të mbahet procesverbal për konstatimet dhe provat mbi llojin e aktivitetit real që kryhet. Përfaqësues të grupit të punës thanë se ndoshta në këtë proces verifikimi do të kërkohet që të ketë edhe një pjesëmarrje aktive të shoqatës, në mënyrë që procesi të mbyllet sa më shpejt dhe të jetë transparent dhe i pranuar nga të gjithë.
Pas kryerjes së verifikimit në terren do të krijohet një bazë e saktë të dhënash mbi subjektet dhe kategorinë ku hyjnë ato, për efekt çmimi. Kjo bazë do t’i kalojë më pas strukturave të IT të kompanisë së shpërndarjes që do të ndërhyjë në sistem për të bërë sistemimin e ndarjes së faturave.
Propozimi duhet të miratohet nga ERE
Çmimet e diferencuara për furrat e bukës, sipas llojit të aktivitetit, duhet së pari të miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë për t’u bërë të zbatueshme.
OSHEE pritet që të depozitojë këto ditë pranë Entit propozimin e rënë dakord me Shoqatën, teksa paralelisht do të punohet me hallkat e tjera që të bëjnë të mundur këtë zbatim në një afat sa më të shpejtë.
Edhe pse sot nuk ka një afat të saktë se kur pritet të nisë aplikimi i çmimeve të reja, burime nga grupi i punës thanë se ndoshta, minimumi do të kërkohen tre muaj.
Kompanitë nën varësinë e OSHEE Group si FSHU, FTL apo OSSH do të duhet që të përgatisin aktet e nevojshme sesi do të ndahen, veprojnë dhe trajtohen çështjet që lidhen me këtë masë të re.
Shoqata: Do të jemi palë, sidomos gjatë zbatimit
Shoqata e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave ka rënë dakord parimisht me propozimin e dalë nga grupi i punës, duke nënvizuar se pjesa për të cilën duhet të tregohet kujdes është zbatimi i praktik i saj. Gjatë kësaj faze, Shoqata pritet që të jetë pjesë e procesit.
“Ka një problematikë dhe abuzim, por duhet thënë që është krijuar për shkak të evoluimit tonë si sektor. Kemi qenë të detyruar ta zhvillojmë biznesin duke e zgjeruar, pra nuk jemi vetëm furra buke. Ky ka qenë një orientim i Konfederatës Europiane ku ne jemi anëtarë dhe shembujt i marrim nga ata.
A ka pasur ngërç nga kjo? Po dhe jemi të gatshëm që në bashkëpunim me institucionet ta rregullojmë. Kjo nuk është fort e lehtë, pasi nga studimi i gjendjes ka subjekte që dalin në tejkalim të parametrave të prodhimit të bukës dhe ndaj jemi dakord me fashat që u përgjigjen kushteve konkrete.
Ne do të jemi palë në vijimësi, sidomos gjatë aplikimit të zbatimit, pasi jemi të ndërgjegjshëm që ka vështirësitë e veta në terren, por jemi në një pikë ku duhet të zgjidhet”, – tha Gëzim Peshkopia, kryetar i Shoqatës.
A ka rritje çmimi për furrat?
Kalimi nga një tarifë 7.6 lekë/kWh në 9.5/kWh dhe 12 lekë/kWh shihet si rritje çmimi për furrat e bukës me aktivitet të integruar. Burime pranë OSHEE thanë se, në fakt, nuk kemi një rritje të çmimit për furrat e bukës.
Ato do të vijojnë të paguajnë 7.6 lekë/kWh edhe pas ndarjes së fashave. Për ato që janë pastiçeri, nëse aktiviteti është i deklaruar si i tillë, duhet të paguajnë sot çmimin 14 lekë/kWh, ndërkohë që do të paguajnë 9.5 lekë/kWh kur do të hyjë në fuqi fasha e re.
Bar-kafetë gjithashtu paguajnë 14 lekë dhe me fashën e re, nëse e kanë të ndarë aktivitetin nga furra e bukës, do të paguajnë 12 lekë/kWh. Në çdo rast do të jetë në dorën e biznesit të zgjedhë nëse do të përdorë një matës kur aktivitetin e ka të integruar dhe të paguajë tarifën maksimale sipas aktivitetit që ka apo ta ndajë këtë me dy matës.
Në çdo rast, ky kategorizim, sipas OSHEE-së, synon ndër të tjera, shkëputjen e fijeve të korrupsionit të punonjësve që në disa raste mund të jenë bërë palë në abuzimet e biznesit, duke vënë në konkurrencë të drejtë palët e tregut./ Monitor