Paguajmë shumë nga taksat tona për të mbajtur çdo të burgosur në qeli.
Ditën e djeshme, Gjykata e Fierit dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Klodian Çalamanin, vrasësin e 8-vjeçarit Mateo Vasiu. Ky vendim është kundërshtuar me forcë nga familjarët e të ndjerit por edhe nga qytetarët pasi sipas tyre burgu është luks për vrasësin e pamëshirshëm. Me shumë gjasa Klodiani do të dënohet me burgim të përjetshëm pas krimit që ka kryer, por a e dini se sa shpenzon shteti shqiptar për të burgosurit?
Në një artikull nga “Eurospeak” thuhet se Shqipëria është ndër vendet me normën më të lartë të individëve të dënuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale në raport me numrin e popullsisë. Të dhënat nga Instituti Europian i Statistikave, Eurostat, për harkun kohor 2016-2018 treguan se Shqipëria mbante rekordin në Ballkanin Perëndimor dhe renditej ndër vendet me numrin më të lartë për sa i përket individëve të dënuar për vepra penale. Në raport me popullsinë, në Shqipëri kishte 197 të burgosur për çdo 100 mijë banorë rezidentë, duke u renditur e katërta në Europë, pas Lituanisë, Çekisë dhe Estonisë.
Në krahasim me vendet e rajonit Shqipëria mban rekord për numrin e lartë të të burgosurve. Pas Shqipërisë renditej Mali i Zi me 179 të burgosur. Ky tregues, së paku për Shqipërinë, nuk ka pësuar ndryshime të ndjeshme edhe në vitin 2020, ku në burgjet e vendit u trajtuan rreth 6 mijë të dënuar e të paraburgosur. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për muajin dhjetor 2020 tregojnë se në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) gjendeshin 2 354 të paraburgosur dhe 2 287 të burgosur. Ndër ta ishin 359 të dënuar nga mosha 14 deri në 25 vjeç dhe 509 të paraburgosur të moshave nga 14 deri në 25 vjeç. Raporti i monitorimit të shpenzimeve nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për vitin 2020 në sistemin e burgjeve të vendit tregoi se në një vit totali i shpenzimeve të kryera ishte në vlerën e përafërsisht 5.7 miliardë lekëve (rreth 46.4 milionë Euro).
Nga të dhënat rezulton se për çdo person që u gjend në burgjet e vendit u shpenzuan mesatarisht 9 997 euro në vit, 833 Euro në muaj, apo thënë ndryshe 27.7 Euro në ditë. Në koston ditore për çdo të dënuar apo të paraburgosur në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend përfshihen shpenzimet për ushqim, trajnimi i stafit policor, shërbimi shëndetësor dhe social, mbajtja e të burgosurve dhe paraburgosurve në kushte sigurie, si edhe trajtimet specifike për çdo kategori të të dënuarve. Shqipëria klasifikohet në grupin e vendeve në Europë që kanë relativisht kosto të larta për të burgosurit. Sipas të dhënave nga Eurostat, Greqia shpenzon 5 dollarë në ditë për një të burgosur, Lituania 18 dhe Polonia 21 dollarë në ditë.
Në muajin qershor të vitit 2019, Këshilli i Ministrave propozoi një projektligj i cili kishte për synim të shtonte dënimet alternative me qëllim uljen e kostove për të burgosurit. “Sipas të dhënave kosto mesatare për një te burgosur është afërsisht 2 675 lekë në ditë, ndërsa kosto për një të mbikëqyrur është 85 lekë në ditë. Duke qenë se të dy institucionet financohen nga buxheti i shtetit, rritja e numrit të rasteve të dhënies së vendimeve me dënime alternative nga gjykata për të miturit në konflikt me ligjin, ul numrin e dënimeve me burgim dhe për rrjedhojë financimi do të jetë më i ulët për sistemin e burgjeve”, thuhej në projektligjin që më pas u miratua në Parlament.